Me lule në duar është pritur kortezhi me trupin e ndjerë të kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos mëngjesin e kësaj të marte në pikën kufitare të Kakavijës, pas homazheve që iu bënë në Athinë gjatë fundjavës së kaluar.

Në katedralen e Gjirokastrës u mbajt edhe një meshë e posaçme, ndërsa në orën 4 të pasdites u bë pritja e tij në Tiranë.

Teksa muzika funebre shoqëronte kortezhin e rrethuar nga priftërinj dhe klerikë, shumë besimtarë hodhën lule në trupin e kryepeshkopit Anastas që do të prehet në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.

“Homazhe do të mbahen këtu në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë edhe të mërkurën, ndërsa të enjten në orën 11 do të mbahet shërbesa e varrimit”, raporton gazetarja Dorina Halili.

Në ceremoninë mortore të enjten në Shqipëri pritet të vijnë për t’i dhënë lamtumirën e fundit figura të larta fetare nga mbarë bota. I pranishëm pritet të jetë edhe Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Për mbarëvajtjen e homazheve në Katedalen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Policia ka nisur devijimin e trafikut në rrugë alternative në kryeqytet, prandaj kërkohet mirëkuptimi i drejtuesve të automjeteve.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë nderroi jetë mengjesin e 25 Janarit në moshën 95-vjeçare një spital të Athinës si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.

Tv Klan