Armando Broja nuk ka zbritur ende në fushë, por tashmë ka një president të ri. Grupi amerikan, Friedkin ka arritur marrëveshjen për të blerë shumicën e aksioneve të klubit të Everton. Skuadër ku pjesë është edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare.
Broja do ketë si president grupin që zotëron edhe aksionet e klubit të Romës. Vitin e kaluar, fondi i investimeve me bazë në Miami, 777 Partners tha se kishte nënshkruar një marrëveshje me miliarderin britaniko-iranian Moshiri për të blerë 94.1% të aksioneve të tij në klub në një marrëveshje të raportuar me vlerë më shumë se 733 milionë Euro.
Moshiri, ish-aksioner i Arsenalit, bleu për herë të parë 49.9% të aksioneve në Everton në 2016. Deri në janar 2022, ai kishte rritur aksionet e tij në 94.1% me një rritje kapitali prej 120 milionë Euro.
Everton ishte shumë pranë rënies nga kategoria sezonin e kaluar, kjo ndikuar edhe nga dënimi për shkeljen e rregullave të përfitueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së Premier League angleze. Edhe në këtë edicion, Everton po vuan jo pak mungesën e rezultateve, teksa momentalisht gjendet e fundit në renditje pas 5 javësh kampionat.
Klan News