Banorët e Rripit të Gazës kishin një motiv të fortë për të festuar paraditen e kësaj të diele.
Hyri në fuqi, armëpushimi që ndali luftën 15 mujore izraelite në territorin e tyre që vrau 46 800 palestinezë, rrafshoi një pjesë të madhe të këtij territori dhe shkaktoi ndryshime në skenën politike të gjithë Lindjes së Mesme.
Armëpushimi hyri në fuqi në orën 11:15 me orën lokale, gati 3 orë më vonë sesa ishte parashikuar. Shtyrja u bë pasi Hamasi nuk arriti në kohë t’i dorëzonte palës izraelite listën me emrat e 3 vajzave të para për t’u liruar këtë të Dielë.
Organizata palestineze tha se vonesa u bë për arsye teknike, por kaq u desh që ushtria izraelite të shfrytëzonte ato pak orë për të vazhduar me bombardime të ashpra ku u vranë 13 persona dhe u plagosën 30 të tjerë.
Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes zgjat 6 javë dhe parashikon lirimin e 33 pengjeve në total. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 2 mijë të burgosur palestinezë. Aktualisht në duart e militantëve palestinezë mbeten 98 pengje, nga 251 që u morën në sulmin e përgjakshëm të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 Tetor 2023.
Marrëveshja kundërshtohet nga radikalët e djathtë në qeveri, të cilët duan zhdukjen totale të Hamasit. Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, dha dorëheqjen ministri për Sigurinë Kombëtare Itimar Ben Gvir, nga radhët e tyre, i cili tha se nuk do të ndërmarrë asnjë nismë për rrëzimin e qeverisë.
Tv Klan