Pas konfuzionit që krijoi Donald Tramp me propozimin për rindërtimin e Rripit të Gazës të rrafshuar nga lufta izraelite, duke larguar prej andej banorët palestinezë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu hedh idenë e shpërnguljes së tyre të përhershme në Arabinë Saudite.
“Sauditët mund të krijojnë një shtet palestinez brenda Arabisë Saudite. Kanë hapësira të bollshme atje.”
Në një intervistë për një televizion izraelit gjatë vizitës në Uashington, Netanjahu shuan çdo shpresë se do të pranojë që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në dy shtetet ngjitur me njëri-tjetrin.
“Një shtet palestinez pas 7 Tetorit? E dini ç’do të thotë? Ishte një shtet palestinez i quajtur Gaza nën qeverisjen e Hamasit dhe i shihni pasojat.”
Arabia Saudite refuzon të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, nëse nuk lejon krijimin e shtetit palestinez, pavarësisht se në këtë intervistë Netanjahu shprehu bindjen se Riadi zyrtar do të pranojë shkëmbimin e ambasadorëve.
Netanjahu e mbështeti propozimin e Donald Trampit, i kundërshtuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar për shpërnguljen e banorëve të Rripit të Gazës në funksion të rindërtimit, ndonëse shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka sqaruar nëse plani i tij rikthimin e tyre pas përfundimit të këtij procesi.
Rikthimin e gazanëve e ka pohuar vetëm Sekretari Amerikan i Shtetit, Marko Rubio.
Tv Klan