Palestinezët në Khan Younis po shpresojnë për fundin e luftës 14-mujore të Izraelit, ndërsa bisedimet për armëpushimin morën vrull.

Duke folur pranë një tregu ndërsa binte nata, ata shprehin rraskapitjen nga lufta që ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës dhe ka vrarë mijëra e zhvendosur pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët.

Një marrëveshje për ndalimin e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelite mund të nënshkruhet ditët në vijim, ndërsa bisedimet në Kajro po përparojnë, i thanë agjencisë Reuters, burime të mirëinformuara me takimin e së martës.

Administrata amerikane, së bashku me ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari, ka bërë përpjekje intensive ditët e fundit për të nxitur bisedimet përpara se presidenti Joe Biden të largohet nga detyra muajin e ardhshëm.

Burimet thanë se marrëveshja e armëpushimit mund të jetë vetëm disa ditë larg, marrëveshje që do të ndalë luftimet dhe do të kthejë pengjet që mbahen nga lëvizja islamike Hamas në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Hamasi tha në një deklaratë se marrëveshja është e mundur nëse Izraeli ndalon vendosjen e kushteve të reja. Një zyrtar palestinez i afërt me bisedimet tha se ato janë serioze.

Ka pasur raunde të përsëritura bisedimesh gjatë vitit të kaluar, po të gjitha kanë dështuar pasi Izraeli këmbëngul në mbajtjen e një force ushtarake në Gaza.

Lufta në Gaza e nxitur nga një sulm i Hamasit ndaj komuniteteve në Izraelin Jugor ka vrarë mbi 45,000 palestinezë, ka zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës bregdetare.

Klan News