Operacionet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor kanë vrarë të paktën 12 palestinezë që nga e marta dhe kërcënojnë armëpushimin e brishtë në Gaza.

Sipas zëdhënësit të zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Thameen Al-Kheetan, qindra banorë të kampit të refugjatëve Jeninit u larguan nga shtëpitë, ndërsa ushtria izraelite shkatërroi disa prej tyre në ditën e tretë të operacionit.

Ndërhyrja e ushtrisë filloi pak pas fillimit të armëpushimit në Gaza.

Zyrtarët izraelitë thanë se operacioni në Jenin synon goditjen e grupeve militante të mbështetura nga Irani e që strehohen në kampin e refugjatëve ngjitur me qytetin, një qendër kryesore për grupet e armatosura palestineze.

Por zyra e të drejtave të OKB-së ngriti alarmin për vrasjen e palestinezëve të paarmatosur dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund menjëherë dhunës.

“Zyra jonë ka verifikuar se të paktën 12 palestinezë të vrarë dhe 40 të plagosur nga forcat izraelite të sigurisë që nga e marta, shumica prej tyre thuhet se janë të paarmatosur”, tha zëdhënësi Al-Kheetan në një konferencë televizive.

Që nga shpallja e armëpushimit në Gaza javën e kaluar, kolonët izraelitë kanë sulmuar fshatrat palestineze dhe kanë sulmuar me gurë disa palestinezë. Gjithashtu shtëpi dhe automjete janë djegur.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor të lumit Jordan, të cilin palestinezët e duan si qendrën e shtetit të tyre të pavarur, që nga lufta e vitit 1967 në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër kolonët izraelitë kanë ndërtuar këtu vendbanime që në bazë të ligjit ndërkombëtar konsiderohen të paligjshme. Izraeli e kundërshton këtë dhe citon lidhjet historike dhe biblike me tokën.

Klan News