Pas 15 muaj luftë armët heshtën. Gaza është e rrafshuar dhe pothuajse e gjithë popullsia e enklavës është e shpërngulur. Pas 15 muajsh luftë, edhe Hamasi është sërish në këmbë dhe këtë e tregoi me fuqi të plotë sapo armëpushimi me Izraelin hyri në fuqi.
Tre pengjet e parë u liruan dhe iu dorëzuan Kryqit të Kuq. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu identifikoi pengjet e liruar si Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbrecher. Ato u kapën nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.
Emocionues bashkimi i tyre me familjarët dhe miqtë. Pas takimit me familjarë, tre gratë u dërguan në spital për kontrolle mjekësore.
Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë, gra dhe të mitur. Hamasi i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Izraelit për ta zbatuar marrëveshjen. Sipas ushtrisë izraelite tre pengje të tjerë do të lirohen pas 7 ditësh. Kjo skemë do të përsëritet gjatë 6 javëve të fazës së parë.
Me fillimin e armëpushimit, qindra kamionë me ndihma humanitare dhe karburant filluan të vërshojnë në Gaza. Sipas marrëveshjes, çdo ditë duhet të hyjnë të paktën 600 kamionë.
Zbatimin e armëpushimit e përshëndeti edhe presidenti amerikan Joe Biden. Ditën e fundit në detyrë, ai mori meritat e ndalimit të një lufte në shkallë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Qeveria izraelite është në krizë ndërkohë. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dha dorëheqjen të dielën së bashku me dy ministra të tjerë nga partia e tij e ekstremit të djathtë, Otzma Yehudit. Kjo parti kundërshton marrëveshjen e armëpushimit. Edhe ministri i Financave i ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich kërcënoi të largohet nga qeveria e koalicionit nëse Izraeli ndalon luftën kundër Hamasit.
Tv Klan