Pas armëpushimit Izrael-Hamas, punonjësit e kërkim-shpëtimit dhe civilët kanë filluar të llogarisin e shkallën e madhe të shkatërrimit që ka sjellë lufta në Rripin e Gazës.
Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës ka frikë se më shumë se 10 mijë trupa janë ende të varrosur nën rrënojat që kanë lënë pas sulmet në vend.
Imazhet e reja nga Gaza pas armëpushimit të së dielës treguan skena të shkatërrimit total të shkaktuar gjatë 15 muajve të ofensivës izraelite.

Më herët, OKB-ja ka vlerësuar se 60% e strukturave në të gjithë Gazën janë dëmtuar ose shkatërruar.
Edhe pse tingujt e bombardimeve u zëvendësuan nga festimet kur filloi armëpushimi të dielën, realiteti me të cilin përballen njerëzit në të gjithë Gazën mbetet i dëshpëruar.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, lufta ka lënë më shumë se dy milionë banorë të Gazës të pastrehë, pa të ardhura dhe plotësisht të varur nga ndihma ushqimore për të mbijetuar./tvklan.al