Drejtues politik i PD-së për Qarkun Tiranë Belind Këlliçi foli këtë të Mërkurë në një intervistë për Klan News sa i takon situatës parazgjedhore. Fillimisht nuk la pa përmendur thirrjen e kryedemokratit Sali Berisha në SPAK, duke e cilësuar “vendim të montuar politikisht”.
“Viti nisi në mënyrë krejt të papritur dhe të shëmtuar politikisht, me thirrjen e kreut të PD para SPAK, për t’u paraqitur dy herë në muaj. Nuk ishte nisja më e mirë, as për qytetarët.”
Së dyti, Këlliçi theksoi se Partia Demokratike do vijojë me denoncimet për afera të ndryshme korruptive e paralelisht po paraqet ‘ofertën’ e saj për shqiptarët.
“Kemi hyrë në 4 muajt e fundit të betejës elektorale. Mesazhi politik i PD-së është i ndarë në disa korsi, por që ecin paralel. Ne vijojmë me denoncimet tona për afera të ndryshme, do ketë kallëzime të reja për korrupsionin në bashkinë Tiranë. Paralelisht denoncimet për lidhjet e qeveritarëve me krimin e organizuar. Vetëm një paragraf i zotit Berisha faktoi 5 akuza për Taulant Ballën. Ende nuk ka asnjë qëndrim, qoftë nga Balla për ta përgënjeshtruar apo nga kryeministri i vendit. Kemi edhe ofertën, për reduktimin e çmimit të naftës. Kemi disa javë që shpalosim planin tonë ekonomik, për minimunim jetik, pensionin minimal dhe rrogën minimale. Rroga mesatare që do shkojë në shifrën e 1200 Euro-ve.”
Ai njoftoi se të Premten në orën 11:00, opozita do të zhvillojë protestën e 41-të para Bashkisë së Tiranës.
“Vijojmë të jemi në një aksion të mosbindjes civile, të Premten rikthehemi me protestë para bashkisë. Protesta e 41-të, rekord para një institucioni. Ndërkohë vazhdojmë me kontaktin e përditshëm me qytetarët.”
Ashtu siç është nënvizuar herë pas here, deklaroi se të djathtët nuk heqin dorë nga kërkesa për qeveri teknike. “Ne nuk kërkojmë pushtet në tavolinë”, u shpreh Këlliçi. Megjithatë për këtë, s’ka asnjë “sinjal” nga ana e mazhorancës, teksa jemi vetëm 5 muaj larg përballjes vendimtare.
/tvklan.al