Arratisja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në Hungari ku ka fituar të drejtën e azilit politik, nxori në sipërfaqe dobësitë e sistemit në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike dhe të sigurisë, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve se institucionet kanë vepruar në përputhje me ligjet në fuqi.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare, u arratis nga vendi në momentin që duhej të shkonte në burg në vuajtje në dënimit.
Kjo, pasi organet e drejtësisë dhe të rendit e kishin lënë të lirë pavarësisht rreziqeve që ekzistonin për shmangien nga burgu, por edhe për të paktën pesë proceseve tjera gjyqësore që po zhvillohen ndaj tij, për shpërdorim të detyrës dhe vepra tjera të rënda penale.
Kryeministri Zoran Zaev, në disa raste ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme, ka vepruar në bazë të vendimeve të organeve të drejtësisë, por, sipas tij, nëse hetimet konstatojnë lëshime apo shkelje të procedurave, përgjegjësi do të ketë, përfshirë edhe veten e tij.
Besa Kadriu, njohëse e çështjeve juridike dhe ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se rasti me Gruevskin, por edhe shumë raste tjera po dëshmojmë se vendi është ende shumë prapa në realizimin e reformave për sistem efikas gjyqësor, sundimin e së drejtës dhe gjykim në proces transparent dhe efikas të të gjithë elementëve me precedent të rëndë penal.
“Sigurisht që në situata të këtilla kur ligji nuk e parashikon një rregullim të një çështjeje të caktuar, autorë të ndryshëm, në këtë rast, të Qeverisë së mëparshme i shfrytëzuan me shumë mjeshtri këto situata për të dalë në një situatë që do të ishte më e volitshme për ta. Kjo tani krijon dyshimet te ne, edhe si qytetarë, se sistemi gjyqësor pati tendencën apo mundësinë që të bëjë reforma, por për fat të keq këto reforma ende nuk janë afër funksionimit të shtetit ligjor pasi të gjitha këto boshllëqe juridike dhanë efekt të kundërt”,
thotë Kadriu.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Palve Trajanov, për Radion e Evropa e Lirë thotë se ky rast, por edhe raste tjera, të mos ndërhyrjes së organeve të rendit dhe të gjyqësorit, kanë nxjerrë në sipërfaqe dobësitë e sistemit për çka flasin të gjitha raportet ndërkombëtare, e që duhet të jenë prioritet për Qeverinë.
Ai tërheq vërejtjen edhe në sistemin e zbulimit të Maqedonisë, i cili, siç thotë është në gjendje kaotike, pasi siç duket, nuk ka asnjë koordinim apo bashkëveprim me institucionet tjera për parandalimin e arratisjeve të atyre që konsideron si persona me rrezik të lartë.
“Mendoj se përgjegjësia e përgjithshme për këtë bie mbi Qeverinë, e cila duhet të konsolidojë shërbimet e sigurisë që të mund të funksionojnë ashtu siç duhet, në drejtim të vendosjes së rendit”
, thotë Trajanov.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski më 13 Nëntor kishte njoftuar përmes rrjetit social Facebook, se ishte arratisur në Hungari, ndërsa paraprakisht ishte i pakapshëm për organet e rendit, të cilat nuk kishin marrë asnjë masë për sigurimin e tij edhe pse organet gjyqësore kishin refuzuar edhe ankesën e fundit të tij për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg
Ekspertët tërheqin vërejtjen e ndërmarrjes së masave serioze për dalje nga gjendja e krijuar.
“Fillimisht, duhet të krijohet apo të kthehet besimi tek institucionet, përmes të cilave funksionon një shtet një shoqëri apo përmes të cilave realizohet edhe forma e një qeverisjeje të mirëfilltë. Pra, në këtë drejtim duhet bërë shumë, fillimisht duhet të stabilizohet një nga shtyllat e sistemit shtetëror që në këtë rast është pushteti gjyqësor, i cili duhet të bëjë intervenime të duhura që në një të ardhme të afërt këto praktika jo të mira të mos përsëriten”
, thotë Besa Kadriu, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore.
Sistemi i drejtësisë në Maqedoni ka qenë dhe mbetet ndër më të kritikuarit për shkak të lidhjeve të fuqishme me pushtetin e kaluar në kurdisjen e shumë lëndëve gjyqësore, por edhe përzgjedhjen e gjykatësve sipas urdhrave të Qeverisë.
Shumë prej atyre gjykatësve që kanë qenë të apostrofuar si bashkëpunëtorë të ish-qeverisë, ende janë në pozita drejtuese, sikur edhe shumë elemente në Ministrinë e Brendshme që besohet të jenë të përfshirë në veprime të paligjshme.
Bisedimet para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia i ka nisur pikërisht në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e shtetit ligjor me qëllim të harmonizimit jo vetëm të ligjeve me BE-në, por edhe të marrjes së praktikave të vendeve më të zhvilluara për funksionimin sa më të mirë të gjyqësorit në vend./REL