Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua pas rreth 1 viti nga nisja e hetimeve nga ana e SPAK ndaj tij.

Hetimi, siç është bërë e ditur para disa kohësh, nisi pas denoncimit nga një person i vetëquajtur Nesti Angoni, për të cilin vetë Veliaj ka thënë se nuk ekziston në Gjendjen Civile.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, deklaroi se denoncimet e bëra nga Nesti Angoni për Erion Veliajn kanë qenë të detajuara për gjithçka, përfshirë dhe blerjet online të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, për të cilën SPAK thotë se ka bërë 860 mijë Euro blerje në internet.

Klodiana Lala: Në kallëzimin që ka bërë shtetasi i identifikuar si Nesti Angoni, ka patur detaje të sakta të të gjitha të lëvizjeve të z.Veliaj dhe znj.Xoxa. Po ashtu ka dhënë detaje deri te blerja e sendeve personale apo rrobave nga znj.Xoxa. Nisur nga ky kallëzim penal, prokurorët kanë sekuestruar të gjithë dokumentet. Në një rast është shumë detaj interesant, sepse ka rezultuar që në një hotel në Vienë, z.Veliaj me bashkëshorten kanë kërkuar një krevat të vogël shtesë për djalin, edhe ky detaj është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme.

Blendi Fevziu: Edhe detaje të tjera kanë qenë të përfshira?

Klodiana Lala: Unë mendoj që Nesti Angoni është brenda Bashkisë së Tiranës, se kush është prej tyre e di SPAK, por është aq i detajuar saqë prokuroria fillimisht ka marrë të gjithë hyrjet/daljet në TIMS, të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me faturat, me blerjet online, kanë marrë lejet e ndërtimit.

/tvklan.al