Kaosi para finales së Kupës së Amerikës nuk do të kalonte pa arrestime. Kreu 71-vjeçar i Federatës së Futbollit të Kolumbisë dhe djali i tij gjenden tashmë në bankën e të akuzuarve në Miami për skenat kaotike jashtë stadiumit “Hard Rock” të Floridës.
Jeserun dhe djali i tij sulmuan rojet e sigurisë në zonën miks të mediave. Sipas policisë, djali 43-vjeçar i Presidentit të futbollit kolumbian ka dhunuar fizikisht rojen, të cilën pasi e ka hedhur në tokë e ka goditur me grushte dhe me shkelma në kokë.
Të paktën 50 personave i mohohet tashmë hyrja në stadiumet amerikane, ndërsa për të ruajtur qetësinë, organizatorët kishin mbi 800 oficerë policie. Tifozët kolumbian, por edhe argjentinas tentuan të hynin me forcë në stadium, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të parë pa biletë finalen e Kupës së Amerikës mes Argjentinës dhe Kolumbisë.
Pasi portat u mbyllën, ata luftuan me policinë, teksa vandalizuan stadiumin për të shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme. Stadiumi ka një kapacitet prej mbi 65 mijë tifozësh dhe është planifikuar të presë 7 ndeshje të Kupës së Botës 2026.
Klan News