Mosha mbetet thjeshtë një numër për Lionel Messin. Argjentinasi ishte fenomenal në fitoren tenistike 6-0 kundër Bolivisë. Tre gola dhe dy asiste nga këmbët e “pleshtit” që vijon të vendos rekorde me fanellën e kombëtares. Goleadë e ndërtuar prej 37-vjeçarit, i cili në 45 minutëshin e parë zhbllokoi fillimisht takimin, teksa më pas asistoi për shokët e skuadrës.
Një performancë e jashtëzakonshme nga ana e yllit të Inter Miami, i cili e dërgoi Argjentinën në dhomat e zhveshjeve me avantazhin e thellë 3-0. Edhe në të dytën, Messi ishte fantastik, për të mbyllur llogaritë me një dopietë golash.
“Është shumë bukur të luash këtu duke ndjerë dashurinë e tifozëve të Argjentinës. Të gjithëve na pëlqen kjo lidhje me tifozët dhe na pëlqen të luajmë në stadiumin tonë. Pavarësisht moshës, shokët e rinj të skuadrës më bëjnë të ndihem sërish fëmijë. Për sa kohë e ruaj këtë ndjenjë dhe mund të vazhdoj të kontribuoj për ekipin, kam në plan të jem këtu për ta shijuar. Jam i emocionuar kur dëgjoj emrin tim të thirrur prej tyre sepse e di që këto mund të jenë ndeshjet e mia të fundit.”
Tregolëshi i 10-të me kombëtaren argjentinase për Messin, teksa ngjitet në kuotën e 846 golave në karrierë, 112 prej të cilave me përfaqësuesen. Shifra që e shndërrojnë yllin e Inter Miami në lojtarin e dytë më më shumë gola në nivel kombëtaresh. Para tij gjendet Cristiano Ronaldo me 132 gola në total, por edhe 26 ndeshje më shumë të luajtura prej tij.
Edhe asistet janë një rekord në vete. 57 me kombëtaren dhe 377 në të gjithë kompeticionet ku është aktivizuar. Performanca e mirë e Messit ndihmoi Argjentinën për të blinduar vendin e parë në grupin kualifikues të Kupës së Botës 2026. Aktualisht Albicelestët kanë 22 pikë dhe janë vetëm një hap larg garantimit të biletës në Botërorin që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Klan News