Nuk zgjati shumë dhe tarifat e parë Donald Trump ia vendosi Kolumbisë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara njoftoi të dielën vendosjen e masave ndëshkuese ndaj vendit amerikano latin, përfshirë tarifa, sanksione dhe ndalime udhëtimi, si kundërpërgjigje e refuzimit të dy avionë ushtarakë amerikanë me emigrantë të paligjshëm të depërtuar, në kuadër të goditjes së emigracionit të paligjshëm.
Trump tha se veprimi i Presidentit kolumbian Gustavo Petro rrezikon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara ndaj dhe ai ka udhëzuar administratën amerikane që të marrë masa si kundërpërgjigje.
Masat përfshijnë vendosjen e tarifave urgjente prej 25 për qind për të gjitha mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të shkojnë deri në 50 për qind brenda një jave; ndalim udhëtimi dhe heqje vizash për zyrtarët e qeverisë kolumbiane dhe aleatët e saj; sanksione emergjente bankare dhe financiare dhe kontroll të zgjeruar në kufi të shtetasve kolumbianë.
“Këto masa janë vetëm fillimi”, shkroi zoti Trump në rrjetin Truth Social. “Ne nuk do të lejojmë që qeveria kolumbiane të shkelë detyrimet e saj ligjore në lidhje me pranimin dhe kthimin e kriminelëve që ata dërguan në Shtetet e Bashkuara!”
Refuzimi i Kolumbisë për të pranuar fluturimet është rasti i dytë i një vendi të Amerikës Latine që nuk pranon fluturimet e dëbimit të ushtrisë amerikane.
“Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i trajtojnë emigrantët kolumbianë si kriminelë”, shkroi zoti Petro, duke vënë në dukje se kishte 15,660 amerikanë pa status të duhur emigracioni në Kolumbi.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro e dënoi praktikën e ndjekur nga autoritetet amerikane dhe kërkoi që emigrantët të mos trajtohen si kriminelë. Në një postim në “X”, Petro tha se Kolumbia do të mirëpresë emigrantët e dëbuar në shtëpi me avionë civilë, duke thënë se ata duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt.
Më herët Brazili kritikoi qeverinë amerikane për prangosjen e emigrantëve të depërtuar. Autoritetet amerikane po arrestojnë tashmë qindra emigrantë pa dokumente në ditë dhe po i dërgojnë ata në vendet e tyre të origjinës, duke përmbushur premtimin e fushatës së Presidentit Donald Trump në vitin 2024 për të dëbuar emigrantët që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.
Klan News