Ndeshja mes Barcelonës dhe Atletico Madrid, mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në futbollin evropian.

Sipas “El Pais”, La Liga ka planifikuar ta spostojë ndeshjen në SHBA, më konkretisht në Miami. Thuhet se drejtuesit e dy klubeve kanë dhënë miratimin e tyre, por janë ende shumë çështje për tu zgjidhur.

Më kryesorja është ajo e FIFA-s, që duhet të japë dritën jeshile, që një ndeshje kampionati të luhet jashtë vendit.

Nëse kjo realizohet, do të jetë hera e parë që një ndeshje e La Liga-s, të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. FIFA do të marrë një vendim në ditët e ardhshme, me ndeshjen që është planifikuar më 22 Dhjetor.

Drejtuesit e dy klubeve e shikojnë si diçka pozitive, pasi do të sillte të ardhura më të mëdha financiare, zhvillimi i ndeshjes në Miami.

Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, ka shprehur dëshirën për të organizuar ndeshjet e ligës spanjolle në vende të tjera në vitin 2019, por kjo iniciativë nuk pati një rezultat pozitiv, për shkak të reagimeve të shumta kundër. /tvklan.al