Një ditë pas arrestimit të Shefit të Kirurgjisë së Onkologjikut Agim Karaj, kreu i qendrës spitalore “Nënë Tereza”, Gjerogjina Kule u shpreh, se nuk është në dijeni për mitmarrje nga ana e mjekut të arrestuar. Gjithsesi Kule shprehu idenë se korrupsioni duhet ndëshkuar por më parë duhet të vërtetohen akuzat, ndërsa kundërshtoi mënyrën e arrestimit.
Gjerogjina Kule: “Këto akuza të bëhen mbi baza të vërtetuara më së miri. Nuk mbështesim shitjen e shërbimit mjekësor nga individët e veçantë. Nuk më duket shumë dinjitoze që një mjeku t’i vendosen pranga njësoj si një krimineli. Pikërisht në ato duar që ai ka operuar dhe ka shpëtuar shumë jetë njerëzish.”
Nga ana tjetër Kreu i Urdhrit të Mjeku Dine Abazaj tërhoqi vëmendjen se korrupsioni nuk mund të eliminohet me një apo dy arrestime.
Dine Abazaj: “Ky fenomen rregullohet me reforma të gjera dhe të thella shëndetësi, por edhe drejtoritë e institucioneve, spitaleve, administratat e tyre nuk i denoncojnë mjekët e tyre ose nuk janë vigjilentë për të konstatuar ato ndodhin brenda institucionit të tyre dhe për t’i denoncuar mjekët e tyre tek Urdhri i Mjekut në kohën e duhur, mbase do të parandalohej edhe arrestimi i tyre.”
Karaj është mjeku i tretë i arrestuar brenda një periudhe shumë të shkurtër në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”, nën akuzën e mitmarrjes. Pasi vetëm tri ditë më parë nën pranga u vu edhe drejtori i spitalit të burgut, njëkohësisht mjek në spitalin numër 2 në QSUT./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami
Operator: Petrit Xhaferri