Pavel Durov, themeluesi dhe CEO i aplikacionit të mesazheve Telegram, u arrestua menjëherë sapo u ul në aeroportin Le Bourge të Parisit me avionin e tij privat mbrëmjen e së shtunës.
Për Durov me origjinë ruse kishte një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet franceze. Mediat franceze shkruajnë se shkak është mungesa e moderatorëve në aplikacionin Telegram, për të cilin policia pretendon se lejon që aktivitetet kriminale, si tregtia e drogës dhe rrjetet e pedofilisë, të zhvillohen pa pengesa.
Arrestimi i tij ka shkaktuar një valë shqetësimi në komunitetin e teknologjisë dhe në mesin e mbrojtësve të lirisë së internetit. Aplikacioni Telegrami, me afro 1 miliard përdorues, njihet për fokusin e tij tek privatësia, veçori që e ka bërë atë mjaft të popullarizuar, por edhe të akuzuar.
Telegram është një nga platformat kryesore të mediave sociale, duke u renditur në krah të gjigantëve si Facebook, YouTube, WhatsApp, Instagram, TikTok dhe WeChat. Ndikimi i tij është veçanërisht i dukshëm në Rusi, Ukrainë dhe republikat e ish-Bashkimit Sovjetik.
Tv Klan