Ukraina ka ndaluar përdorimin e aplikacionit të mesazheve Telegram në pajisjet zyrtare të përdorura nga zyrtarë qeveritarë, personel ushtarak dhe punonjës me argumentin se Rusia mund të spiunojë mesazhet si dhe përdoruesit.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes njoftoi kufizimet pasi Kyrylo Budanov, kreu i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës GUR, i paraqiti këshillit prova se shërbimet speciale ruse kishin përgjuar platformën.
Sipas autoriteteve në Ukrainë ky ndalim është një çështje e sigurisë kombëtare. Telegrami përdoret shumë në Ukrainë dhe Rusi dhe është bërë një burim kritik informacioni që kur Rusia nisi agresionin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy, si dhe komandantët ushtarakë dhe zyrtarët rajonalë dhe të qytetit, të gjithë publikojnë rregullisht përditësime mbi luftën dhe raportojnë vendime të rëndësishme në Telegram. Zyrtarët që përdorin Telegramin si pjesë e detyrave të tyre nuk do të preken nga ndalimi.
Me bazë në Dubai, Telegram u themelua nga Pavel Durov me origjinë ruse, i cili u largua nga Rusia në 2014 pasi refuzoi të përmbushte kërkesat për mbylljen e komuniteteve opozitare në platformën e tij të mediave sociale VKontakte, të cilën ai më vonë e shiti. Muajin e kaluar, Durov, i cili është gjithashtu një shtetas francez, u vu nën hetim zyrtar në Francë si pjesë e një hetimi për krimin e organizuar.
Klan News