Me pantallona të shkurtra, i zbathur dhe i shoqëruar nga efektivë të repartit special RENEA, Marklen Haka, i shumëkërkuar për tentativë vrasje dhe posedim të armëve pa leje, u fut në Policinë e Tiranës.
Ai u arrestua këtë të premte në Nikël të Krujës, pranë një banesë në liqenin e Bacungut. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiste, në operacionin për kapjen e tij të nisur që në 2 Shtator, u angazhuan forcat speciale të RENEA-s.
I njohur edhe me mbiemrin Aliu, ai konsiderohet nga autoritetet si një nga njerëzit kryesorë të botës së krimit në Shqipëri dhe ishte në listat e të shumëkërkuarve të Policisë.
Haka mendohet se qëndroi për disa muaj në Dubai pasi u shpall në kërkim me kërkesë të SPAK dhe ka hyrë ilegalisht në Shqipëri disa javë më parë.
Në bazë të një hetimi të bazuar në komunikimet në aplikacionin Sky, Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime se Marklen Haka, është i përfshirë në dhënien e informacioneve në tentativën për të vrarë Durim Bamin, një tjetër të shumëkërkuar, në nëntor 2020.
Nga ngjarja mbeti i plagosur një person që shoqëronte Bamin. Gjithashtu ai akuzohet se ka marrë pjesë në një tjetër rast të përgatitjes së një tjetër atentati ndaj Durim Bamit, por që nuk është finalizuar.
Këtë të premte, bashkë me Marklen Hakën u shoqëruan edhe disa persona të tjerë.
Ndërkohë operacioni u përshëndet nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili tha se përballja për të shmangur drejtësinë po merr përgjigjen e duhur.
Tv Klan