Policia e Shtetit është njohur zyrtarisht me arrestimin e të shumëkërkuarit, Durim Bami në Dubai. 45-vjeçari që prej muajsh fshihet në Emiratet e Bashkuara ka rënë sërish në prangat e policisë në Dubai, vend ku u arrestua dhe në muajin Qershor të këtij viti.

Pas prangosjes së tij, Interpol Tirana ka dërguar menjëherë kërkesë për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, vend ku është në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit “Revansh” finalizuar në muajin Maj.

I përfolur në shumë ngjarje të rënda kriminale të regjistruara në Shqipëri, emri i Durim Bamit doli në komunikimet e zbërthyera të aplikacioneve SKY dhe EncroChat. Nga bisedat e verifikuara nga SPAK, rezulton se ai ka krijuar kushtet për vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Emri i tij përfshihet dhe në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Mbi këto akuza, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë. Gjithashtu, po në këtë dosje del në pah se vetë Bami ka qenë në shënjestër të disa grupeve kriminale, të cilat pavarësisht përpjekjeve nuk kanë mundur ta eleminojnë fizikisht atë.


Njoftimi i Policisë:

Riarrestohet në Dubai shtetasi D. B., i kërkuar nga autoritetet shqiptare.

Në vijim të bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara, dhe në zbatim të urdhrit të lëshuar nga Interpol Tirana, është riarrestuar në Dubai, shtetasi D. B., 45 vjeç.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurise “Arrest në burg”, per veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Pritet vendimi i prokurorit të çështjes, për kryerjen e procedurave të mëtejshme.


Tv Klan