Policia shqiptare ka konfirmuar arrestimin e Durim Bamit në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndalimi i tij kryhet për herë të dytë nga Autoritetet në Dubai, pasi ndodhet në kërkim nga Prokuroria e Posaçme. Bami u arrestua edhe në muajin Qershor por u la në masë të lehtë sigurie. Sipas policisë shqiptare, autoritetet në Dubai kanë miratuar kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e Bamit.
Durim Bami u shpall në kërkim gjatë operacionit “Revanshi”, pasi doli në bisedat e aplikacionit SKY. 45-vjeçari akuzohet se planifikoi vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit. Nga ana tjetër ndaj Durim Bamit ishin vënë në ndjekje dhe bashkëpunonin, 16 persona. Sipas komunikimeve të zbardhura nga SPAK, grupet kriminale kishin vendosur deri në 1 milionë euro shpërblim për vrasjen e tij.
Përveç krijimit të kushteve për të kryer vrasje Bami akuzohet edhe për kultivim të bimëve narkotike. Sipas SPAK, Bami dyshohet se bashkëpunoi me ish efektivin e RENEA Altin Morina për të mbjellë kanabis në zonën e Niklës.
Ndaj Durim Bamit, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg pasi dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale si: “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për te kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kultivim i lëndëve narkotike”.
Për ta çuar para drejtësisë 45-vjeçarin autoritet shqiptare janë duke bashkëpunuar me Interpol Abu Dhabin. Bami pritet të mbërrijë në Shqipëri nëpërmjet depërtimit, procedurë e cila u ndoq edhe për Plarent Dervishajn dhe Julian Meçaj.
Klan News