Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur njoftimin e akuzave për anëtarët e 7 grupeve kriminale që u goditën gjatë operacionit “Revanshi”.

Ato vepronin në disa qytete si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli. Gjykata ka firmosur urdhër-arreste për disa persona si Arben Ndoka, Durim Bami, Leonard Duka, Astrit Avdylaj, Marklen Haka si dhe ish drejtuesi Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri.

Në total u lëshuan 50 urdhër arreste dhe pothuajse gjysma e tyre u ekzekutuan brenda dhe jashtë vendit ndërsa disa të tjerë ishin të arrestuar për akuza të tjera.

Gjatë këtij operacioni u angazhuan 50 oficerë të policisë gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, forcat operacionale, ato të RENEA-s dhe 300 efektivë të policive të Tiranës, Durrësit, Lezhës, Vlorës dhe Shkodrës.

Hetimet e këtij operacioni zbuluan 12 ngjarje kriminale që ndodhën apo që u përgatitën, por dështuan gjatë vitit 2020.

Komunikimet e Sky të ndërthurura nga hetuesit me detajet e dosjeve të arkivuara pa autorë, treguan se si për arsye hakmarrje dhe përplasje mes grupeve kriminale, kishin çuar personazhe të botës së krimit në organizimin e atentateve dhe vrasjeve në vend.

Klan News