Ruhan Hiraj, 20 vjeç u arrestua nga FBI-ja amerikane në Nju Jork, pasi ishte në listën e të kërkuarve të Interpol Tiranës, si një nga autorët e vrasjes së oficerit të RENEA-s, Ibrahim Basha me 24 Qershor të vitit 2015, në Lazarat. Policia e Shtetit sqaroi se Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e amerikane dhe FBI-në, mundën të identifikojnë dhe të arrestojnë tri ditë më parë 20 vjeçarin. I kërkuari u arrestua nga një patrullë policie në qytetin Albany, të shtetit të Nju Jorkut. Gjatë kontrollit ai rezultoi se nuk kishte dokumente qëndrimi. I arratisuri, iu prezantua policëve me emrin Sandër Hiraj, me të njëjtin emër me të cilin edhe qëndronte në zonën ku banonte. Pas krahasimit të gjurmëve të gishtërinjve dhe të fotos së tij me Interpol Tiranën, Hiraj u identifikua dhe më pas u prangos.
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë e ka dënuar 20 vjeçarin Hiraj me 18 vite burg, për katër akuza, ku më e rënda është ajo “Vrasjes se punonjësve të Policisë Shtetit”. Me 24 qershor të vitit 2015, njësitë e RENEA ndërhynë në Lazarat, pas të shtënave me armë nga persona të panjohur. Gjatë ndërhyrjes i arratisuri bashkë me persona të tjerë hapën zjarr me armë ndaj policisë duke lënë të vrarë Ibrahim Basha. Në të njëjtën ngjarje u plagosën dy efektivë të tjerë në një furgon ku ndodheshin gjithsej 6 punonjës policie. Pas arrestimit të Hirajt Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij në vendin tonë ku duhet të vuajë edhe dënimin për krimin e kryer.
Tv Klan