Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar të mërkurën të dyshuarin me iniciale D.D. në rajonin e Mitrovicës së Jugut, lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në maj të vitit të kaluar në Zveçan.
Policia e Kosovës në veri ka konfirmuar se bëhet fjalë për arrestimin e Dushan Drobacit.
Dhuna në Zveçan pati shpërthyer, pasi serbët lokalë patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Si pasojë e dhunës patën mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se D.D. – ndaj të cilit është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale – ka përdorur dhunë në mënyrë aktive në Zveçan dhe është i dyshuar për katër vepra penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kreu vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Në përvjetorin e sulmit ndaj KFOR-it, më 29 maj, ky mision ka kërkuar që të mbahen përgjegjës të përfshirët në sulmin e vitit të kaluar.
Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.
Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.
Në Kosovë deri më tani janë arrestuar dhjetë persona për dhunën në protesta dhe për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Aktualisht në Kosovë janë 4.700 pjesëtarë të KFOR-it.
KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX./REL