Nga Gjermania për tur muzikor në Shqipëri. 60 muzikantë të orkestrës të Wismarit në Gjermani kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për një tur muzikor dhe për të njohur kulturën, njerëzit e vendin tonë. Frider Weinhold i cili drejton prej më shumë se 30 vitesh një fondacion humanitar në Shqipëri shprehet, se orkestra ka performuar në Tiranë, Bishnicë dhe së fundmi në Pogradec.
“Është një grup muzikor i cili jep koncerte në shumë vende të botës dhe këtë vit vendosën të vijnë në Shqipëri dhe në Pogradec. Ky ansambël prej 60 personash është mbledhur posaçërisht për këtë tur. Grupi zhvilloi fillimisht një koncert në parkun Rinia në Tiranë, më pas udhëtuan drejt Pogradecit, vizituan edhe Linin, udhëtuan më pas drejt Bishnicës sepse unë doja që ata të shikonin këtë pjesë të Shqipërisë sepse për ta është hera e parë këtu. Patën mundësinë të shohin Bishnicën, fshatrat dhe malet përreth.”
Hartëig Kessler dhe Renate Menzel e vizitojnë për herë të parë vendin tonë dhe kultura e folklori i ka mahnitur, aq sa shprehën idenë se një grup muzikor duhet që së shpejti të shkojë për të performuar në Ëismar të Gjermanisë.
“Këtu kemi gjetur një vend dhe njerëz të mrekullueshëm. Patëm mundësi të njihnim edhe vende të reja si Bishnica, patëm mundësinë të njohim fëmijët, njerëzit dhe të shohim mundësinë se si mund të ndihmojmë më shumë atje, por edhe u argëtuam dhe luajtëm futboll atje, si hera e parë për ne ishte fantastike. Shqipërinë e kam parë vetëm që nga Italia, nuk kisha qenë asnjëherë këtu. Shumë e rëndësishme ishte që të njihnim kulturë dhe folklorin shqiptar, të mësonim për të. Dhe më lindi ideja që ashtu si ne edhe një bandë muzikore shqiptare të vijnë në Gjermani, në Ëismar dhe duam që bashkë me ta të luajmë muzikë folklorike. Mund të them që ishte një kohë fantastike dhe jemi shumë të kënaqur.”
“Unë vij direkt nga pjesa e detit baltik në Gjermani. Jemi këtu me një grup të madh muzikor. Kemi ardhur këtu në bashkëpunim me fondacionin Diakonia nga Ëismari. Jemi mahnitur nga e gjithë atmosfera këtu në Shqipëri. Të gjithë ne vijmë për herë të parë, vijmë edhe të shohim projektin e Diakonias këtu dhe patëm një eksperiencë të mrekullueshme në Bishnicë e fshatrat përreth. Të gjithë njerëzit që kemi takuar dhe njohur kanë qenë shumë të afrueshëm dhe tani kemi dëshirë që të rikthehemi përsëri këtu.”
Orkestra muzikore luan për më shumë se një orë muzikë të zhanrit hollivudian me këngët më të njohura të filmave, ndërsa pas Pogradecit do të mbajnë një tjetër koncert në kryeqytet për t’u rikthyer më pas në Gjermani.
Klan News