OSHEE nuk i faturon, pasi mungon kuadri ligjor
Kompania e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE do të vjelë në faturën e dritave gjobat për mosmbajtjen e maskës vetëm për individët të cilët kanë një kontratë të lidhur me të.
Në rastet kur do të konstatohet se personi i ndëshkuar nuk ka kontratë energjie të lidhur, gjoba do t’i kthehet pas autoriteteve të policisë.
Ministria e Shëndetësisë, ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe ajo e Financave kanë miratuar udhëzimin për mënyrën e ekzekutimit të kundravajtjes për mospërdorimin e maskës, por nuk përfshijnë vjeljen e saj të fatura e energjisë, edhe brenda pemës familjare të personit që ka kontratën e dritave.
Në çdo rast gjoba të fatura e dritave është titull ekzekutiv, dhe në rast të mos pagesës të saj, ndërpritet energjia elektrike.
Nga 10 mijë gjoba që janë vendosur për mosmbajtjen e maskës, asnjëra prej tyre nuk eshte paguar. Burime nga Policia e Shtetit thanë për Tv Klan se gjobat janë regjistruar në sistem dhe i janë dërguar OSHEE për t’u vjelë, ashtu siç parashikon Akti Normativ. Por asnjëra prej tyre nuk është marrë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke bërë verifikimin e emrave të të penalizuarve që kanë kontratë të lidhur me të.
Për nisjen e procesit të vënies së gjobës në faturën e dritave, OSHEE pret miratimin e udhëzimit të përbashkët të ministrit të Financiave, Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Shëndetësisë për mënyrën e vjeljes.
Ky udhëzim do të përcaktojë nëse gjoba do të vilet për shkelësin që ka kontratë të lidhur, apo edhe për pjesëtarët e familjes së tij.
Burime për televizionin Klan bëjnë me dije OSHEE ka dërguar një opinion në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në të cilin është shprehur se gjoba mund të merret vetëm nëse i është vendosur personit që ka kontratë për energjinë elektrike. Në rastet e tjera, gjoba do t’i kthehet mbrapsht Policisë së Shtetit.
Pas botimit të udhëzimit të përbashkët të 3 ministrave, OSHEE do të dërgojë për miratim modelin e ri të faturës pranë Entit Rregullator të Energjisë dhe Drejtorisë së Tatimeve, e më pas do të nisë vjeljen e penalitetit.
Tv Klan