Zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll vatrën e fundit afër Athinës që i mori jetën një gruaje, dogji ndërtesat, shkatërroi pyjet dhe detyroi mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Sipas autoriteteve greke, nuk ka më asnjë vatër aktive zjarri, por sërish rreziku mbetet i lartë. Kushtet më të favorshme të motit dhe përpjekjet e shumta të shërbimeve të urgjencës kanë ndihmuar në vënien nën kontroll të flakëve.
Autoritetet greke tani po vlerësojnë dëmet dhe po përgatisin skema kompensimi për banorët e prekur si dhe bizneset. Ministria e Brendshme ka akorduar 4.7 milion € për zonat e prekura nga zjarret.
Më shumë se 700 zjarrfikës dhe 35 avionë kanë ndihmuar për të shuar zjarret, të cilat fillimisht shpërthyen të dielën pasdite rreth 35 km në veri të kryeqytetit grek.
Zjarret detyruan kryeministrin e vendit, Kiriakos Mitsotakis të ndërpriste pushimet në mënyrë që të trajtonte këtë fatkeqësi.
Greqia, e cila kohët e fundit ka ashpërsuar dënimet për zjarrvënie të qëllimshme, është përballur me mbi 3,500 zjarre që nga Maji, një rritje gati 50% nga e njëjta periudhë e vitit 2023, kur në vend u regjistruan 2,300 zjarre.
Klan News