Ukrainasit do të vazhdojnë të mos i përdorin kundër territorit rus, raketat me rreze të gjatë veprimi që kanë marrë nga aleatët e mëdhenj të NATO-s edhe pas takimit mes kryeministrit britanik Keir Starmer dhe presidentit amerikan Joe Biden në Uashington.
Krerët e dy prej vendeve më të rëndësishëm të NATO-s dhe furnizuesit kryesorë të Kievit me armë të rënda nuk morën asnjë vendim, ndonëse ky ishte një prej qëllimeve kryesore që e çuan në Uashington, shefin e qeverisë britanike. Megjithatë, Starmer sqaroi pas takimit se pse nuk pati një vendim.
“Kjo është një ftesë e rëndësishme për presidentin për të diskutuar në këtë nivel për çështje kritike”.
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se nëse shtetet perëndimore i japin leje Ukrainës të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar territorin rus, atëherë kjo do të konsiderohet si një përfshirje e NATO-s në luftën e Ukrainës, duke nënkuptuar një luftë botërore.
Megjithatë, në takimin me kryeministrin britanik, presidenti amerikan Joe Biden nënvlerësoi këto deklarata dhe tha se Ukraina duhet ta fitojë luftën e saj të drejtë.
Tv Klan