Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka vijuar takimet me banorë të komunave të ndryshme të rrethit të Matit.
Ai ishte në Gur e Suç, ku gjatë fjalës së tij u ndal te investimet e kryera në katër vitet e qeverisjes së djathtë duke bërë krahasimet mes këtyre investimeve dhe atyre në tetë vjet të qeverisjes së majtë, Patozi shprehu bindjen në fitoren e kësaj mazhorance edhe në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Astrit Patozi: “Po ju tregoj dhe një arsye tjetër se pse do t’i fitojmë zgjedhjet ne, jo vetëm se kundërshtari është i dobët, por edhe se kundërshtari ka frikë. Kundërshtari jonë, Edi Rama, nuk guxon që të lërë mandatin e Bashkisë së Tiranës dhe të kandidojë për kryeministër dhe të thotë më besoni mua se unë mund të jem kryeministri i këtij vendi. Do që ta ruajë kolltukun e Bashkisë së Tiranës sepse ka frikë se humbet dhe po të humbasë i humbet të gjitha dhe ai s’do t’i humbasë të gjitha, s’do të humbasë lejet e ndërtimit, s’do të humbasë përfitimet e paligjshme që ai merr duke shpërndarë leje ndërtimi për ortakët e vet”./tvklan.al