Atalanta duket e pandalshme në Serie A. Skuadra nga Bergamo, regjistroi fitoren e nëntë radhazi dhe këtë e bëri duke mposhtur në shtëpi Milanin, me rezultatin 2-1.

Sukses tejet i rëndësishëm nga zikaltërit, që dominuan pjesën e dytë, por nuk kaloi pa polemika. Pas ndeshjes, trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, shpërtheu në akuza ndaj arbitrimit.

“Gjithmonë kam heshtur, edhe kur të tjerët kanë folur. Megjithatë është e pamundur të heshtësh kur shikon golin e parë të Atalantës. Nuk ka dyshime për atë episod. E di që të jesh arbitër është një punë e vështirë, por jam i lodhur duke parë gjithmonë të njëjtat gjëra. Asnjë respekt ndaj nesh.

Nuk kam frikë të them të vërtetën. Gjithmonë kam respektuar punën e gjyqtarëve, por çdo javë ndodh e njëjta gjë. Gjithmonë ka mungesë respekti për Milanin. E fillojmë ndeshjen me një gol që duhej anuluar dhe kjo ndryshoi ndeshjen”, deklaroi Fonseca i irrituar.

Pas kësaj humbje, Milani mban vendin e shtatë me 22 pikë, ndërsa Atalanta kryeson me 34 pikë.

Fitore të rëndësishme mori edhe Interi, që triumfoi në shtëpi ndaj Parmës me rezultatin 3-1. Sukses me dominim nga ekipi i Inzaghit, që konfirmon momentin e mirë dhe mban vendin e tretë me 31 pikë, por me një ndeshje më shumë për të luajtur, atë ndaj Fiorentinës. /tvklan.al