RENEA kontrolle në zonën e Bajrajve
Ndërkohë RENEA ka hyrë në Dobraç, ku gazetari Besar Bajraktaraj thotë se janë ushtruar kontrolle të shumta në zonën e Bajrajve. Deri më tani nuk ka të shoqëruar, por vetëm dëshmitarë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.
Gjendet e djegur makina e atentatorëve
Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se Policia e Shkodrës ka gjetur një automjet Land Rover, të djegur në zonën e Grudës së Re. Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur nga autorët në atentatin e kësaj të mërkure.
Këta janë dy të rinjtë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndaj të cilëve këtë të mërkurë u lëshua breshëri automatiku…Lexo më shumë
Atentati në Shkodër, një ngjarje e paralajmëruar? Si i shpëtoi plumbave 3 javë më parë Arlind Bushati
Atentati i sotëm në Shkodër duket se është një ngjarje e paralajmëruar. Gazetarja Emi Kalaja raportoi nga spitali i Shkodrës se denoncimi që bëri Arlind Bushati më 10 Tetor për një atentat ndaj tij është kaluar lehtë nga efektivët e policisë.
Sipas saj ka pasur dëshmitarë dhe pamje sigurie që dy persona të maskuar janë futur në ambientet e një lokali dhe kanë tentuar të qëllojnë Bushatin. Por ky i fundit atë mbrëmje ishte me fat pasi nuk ka funksionuar arma.
“Duhet thënë që ky atentat i ditës së sotme është një ngjarje e paralajmëruar sepse atentati i dështuar ndaj Arlind Bushatit pikërisht në pedonalen e qytetit të Shkodrës në prani të dhjetëra dëshmitarëve. Atë në atë moment e ka shpëtuar plumbi, kështu konsiderohet në Shkodër sepse është qëlluar në drejtim të tij, por nuk ka funksionuar arma. Ndërkohë që blutë e Shkodrës e kanë raportuar thjesht si një denoncim për një person që kishte dyshim se në drejtim të tij ishte drejtuar një armë. Megjithatë është kaluar ky informacion me 4-5 rreshta duke mos i dhënë rëndësinë e duhur dhe tashmë Arlind Bushati po lufton me jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Sa i takon masave shtesë, nuk ka pasur masa shtesë nga policia e Shkodrës. Është bërë thjesht deponimi që e ka deklaruar vetë ai ngjarjen dhe dinamikën. Ekzistojnë edhe pamjet e sigurisë ku tregojnë dy personat e maskuar të cilët futen në ambientet e një lokali publik në Shkodër në një moment ku kishte dhe muzikë live dhe dëshmitarë të shumtë që ngrihen nga tavolinat apo shtrihen barkas të tronditur. Megjithatë nuk u mor asnjë masë. Edhe nga ana e vet Arlind Bushatit ka qenë pakujdesi e tij duke pasur parasysh konfliktet që mund të ketë pasur që ka çuar në atentatin e ditës së sotme”, tha gazetarja…Lexo më shumë
Gjendja shëndetësore e të plagosurve
Arlind Bushati dhe Bashkim Basha ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Shkodrës.
Arlind Bushati mbeti i plagosur në kokë nga të shtënat me armë zjarri teksa ndodhej në makinë me Hamza Licin.
Kur ky i fundit u qëllua nga breshëria e plumbave humbi kontrollin e makinës dhe përplasi motorin ku udhëtonte çifti Basha. Gruaja mbeti e vdekur në vendngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj u plagos rëndë.
Kush është Arlind Bushati, 32-vjeçari që udhëtonte me Hamza Licin
Arlind Bushati, 32-vjeçari i cili mbeti i plagosur në atentatin e kësaj të mërkure në Shkodër, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati të PD për Bashkinë e Shkodrës 2 vjet më parë.
32-vjeçari, në fillim të këtij muaji denoncoi në polici se dy persona që lëviznin me motor i kishin drejtuar armën teksa ndodhej në pedonalen e Shkodrës…Lexo më shumë
Ndërsa në Mars të 2022, godinës ku familja Bushati jetonte dhe kishte edhe biznes iu vendos tritol. Nga ngjarja nuk pati të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale. Në atë kohë, vetë Xhemal Bushati për policinë mohoi të kishte konflikte..Lexo më shumë
I vrarë në atentatin e Shkodrës Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit
Hamza Lici mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave. Ai është vëllai i Ibrahim Licit, një personazh tejet i njohur dhe i akuzuar nga drejtësia shqiptare për disa ngjarje të rënda kriminale. Ibrahim Lici dyshohet se është autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër dhe ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.
Në Shkurt të këtij viti, pikërisht Hamza Lici reagoi për mediat për arrestimin e vëllait të tij në Turqi…Lexo më shumë
Në atë kohë ai mohoi që kjo të ishte e vërtetë e pretendoi se Ibrahim Lici ishte vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri. Hamzai theksonte se vëllai i tij ishte i pafajshëm, qëndrim në fakt që ka mbajtur në disa dalje publike edhe babai i tyre Mustafa Lici, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës.