Dy të vrarë e dy të plagosur është bilanci i një atentati që ndodhi këtë të mërkurë në Dobraç të Shkodrës. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e njohur si ish-SMT.
Atentatorët qëlluan me breshëri një makinë tip “Benz” në një distancë prej 150 metrash në lëvizje. Brenda këtij mjeti udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Lici mbeti i vdekur në vend, ndërsa Bushati ndodhet në spital i plagosur, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pasojat tragjike të kësaj historie rëndohen sepse aty përfshihen edhe kalimtarë të rastit. Pasi është qëlluar, makina tip “Benz” ka humbur kontrollin. Për pasojë është përplasur me një motoçikletë që po lëvizte në rrugë.
Krejt të pafajshëm aty po udhëtonin bashkëshortët Bashkim dhe Flutura Basha. Si pasojë e përplasjes së fortë, Flutura humbi jetën menjëherë, ndërsa i shoqi ndodhet në spital, në gjendje të rëndë.
Aktualisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarje janë të paqarta. Drejt Shkodrës janë nisur edhe dy grupe të forcave speciale RENEA për t’u ardhur në ndihmë policëve të Shkodrës.
“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda”, njoftoi policia.
Nga vendi i ngjarjes, gazetarja Emi Kalaja raportoi se dyshimet e para janë që kemi të bëjmë me një përplasje mes bandave rivale. Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, një personazh tejet i njohur i akuzuar për disa ngjarje kriminale në Shkodër.
Ndërkohë i plagosuri që udhëtonte me të, Arlind Bushati, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidatit të PD-së për Bashkinë e Shkodrës. 32-vjeçari, në fillim të këtij muaji denoncoi në polici se dy persona që lëviznin me motor i kishin drejtuar armën teksa ndodhej në pedonalen e Shkodrës./tvklan.al