Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen në Shkodër ku kanë humbur jetën dy persona dhe kanë mbetur të plagosur rëndë dy të tjerë.

Krimi ndodhi në orën 15:50 kur makina tip “Benz” ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati u qëllua me armë zjarri teksa lëvizte. Si pasojë e të shtënave humbi jetën Lici ndërsa Bushati mbeti i plagosur rëndë.

Por pasojat tragjike të kësaj ngjarje nuk përfundojnë këtu. Automjeti i Licit dhe Bushatit, pas të shtënave ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motor. Aty udhëtonin çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha. Si pasojë e përplasjes nga makina, policia thotë se ka humbur jetën gruaja, Flutura Basha. Bashkëshorti i saj ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime të shumta të policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër. Po ashtu janë nisur në ndihmë 2 grupe të forcave RENEA. Ndërkohë autoritetet thonë se po vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar autorët.

“Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve”, njoftoi policia./tvklan.al