Policia kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme dhe ajo e Shkodrës kanë zgjeruar hetimet për masakrën e Dobraçit, të regjistruar pak ditë më parë në qytetin verior. Policia ka siguruar informacione se personi i tretë që ndodhej në makinën e viktimave, i cili dyshohet se është Ibrahim Lici është mjekuar në një klinikë private në qytetin e Fierit.
Sipas burimeve të policisë, janë ngritur dyshime të arsyeshme që personi i tretë ka mbetur i plagosur në shkëmbimin e zjarrit ku mbetën 4 të vrarë, mes të cilëve çifti i bashkëshortëve të pafajshëm. Sipas policisë ai ka marrë të paktën 2 plumba, për të cilët duhet ndihmë e specializuar mjekësore për t’i hequr.
Mbi këto të dhëna policia ka ushtruar kontrolle në klinika private dhe jo vetëm në Fier dhe Vlorë, por deri më tani ende pa rezultate konkrete. Edhe kontrollet në klinikat private në Shkodër nuk rezultuan me vlerë, ndaj hetuesit kanë zgjeruar rrezen e kontrolleve edhe në jug të vendit.
Nga atentati i pasdites së 30 tetorit vëllai i Ibrahim Licit, Hamzai, Arlind Bushati dhe Bashkim e Flutura Basha. Ibrahim Lici rezulton në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë arsye policia kërkon që ta arrestojë për veprat penale që akuzohet, por edhe në funksion të ngjarjes së Shkodrës.
Grupi hetimor është duke punuar dhe për sa i përket automjetit tip “Range Rover”, që pak momente para atentatit është parë në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës. Mjeti që u vodh në Durrës në 17 prill të këtij viti u mbajt në një garazh për disa muaj deri sa u përdor për krimin në Dobraç.
Klan News