Këto janë momentet e vjedhjes së automjetit tip “Range Rover” që u përdor në atentatin me 4 viktima në Shkodër, ku humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe 2 kalimtarët me motor, Bashkim dhe Flutura Basha.
Automjeti, i përdorur nga vrasësit, rezultoi se u vodh orët e para të mëngjesit të 17 Prillit të këtij viti në Durrës. Siç duket nga pamjet, “Range Rover” ka qenë i parkuar afër rrugës.
Pak momente para vjedhjes, afër “Range Roverit” ndalon një makinë e bardhë. Megjithatë nuk dallohet qartë nëse autori apo autorët kanë dalë pikërisht nga ky mjet. Pak sekonda më pas, ndodh vjedhja e mjetit dhe menjëherë edhe makina tjetër e bardhë largohet.
Edhe pse vjedhja ishte denoncuar prej asaj kohe, policia nuk mundi të bjerë në gjurmët e makinës. Ka dyshime që autorët e kanë mbajtur atë të mbyllur që nga koha e vjedhjes dhe kanë nxjerrë vetëm ditën e atentatit.
Ky fakt i ka bërë hetuesit të dyshojnë se atentati ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit të jetë projektuar dhe urdhëruar kohë më parë. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës dyshojnë se autorët e vjedhjes së makinës mund të jenë ata që kanë kryer atentatin.
Për këtë arsye, çështja e vjedhjes së “Range Roverit” në Durrës i është bashkuar dosjes së vrasjes së ndodhur javën e kaluar në Shkodër./tvklan.al