4 viktima në Shkodër! Ky është bilanci tragjik i masakrës në Dobraç të qytetit verior.
Bashkim Basha nuk ka mundur të ju rezistojë plagëve të marra dhe fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spitalin e Shkodrës.
67-vjeçari po udhëtonte me bashkëshorten e tij, Flutura Basha me një motor në momentin kur ndodhi atentati në drejtim të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit dhe një personi të tretë që dyshohet se ishte në makinë me të rinjtë.
Pasi u qëllua me breshëri plumbash drejt makinës ku ata udhëtonin, të rinjtë humbën drejtimin mbi mjetin dhe përplasën çiftin fatkeq Basha që u ndodhën në vendin e ngjarjes në momentin e krimit.
Përplasja ishte fatale për Flutura Bashën, e cila humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ndërsa, Bashkim Basha prej ditësh ishte në gjendje kritike për jetën.
Spitali i Shkodrës jepte shpresa të pakëta për gjendjen shëndetësore të 67-vjeçarit, shpresa që u shuan mëngjesin e sotëm duke e çuar kështu bilancin tragjik të masakrës së Shkodrës në 4 viktima.
Nga kjo masakër humbën jetën edhe të rinjtë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndaj të cilëve u qëllua me breshëri plumbash në mes të ditës në Dobraç të Shkodrës nga persona ende të paidentifikuar.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/tvklan.al