Shkon në katër numri i viktimave i masakrës në Dobraç të qytetit të Shkodrës. Pasi qëndroi 4 ditë në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit verior, ka ndërruar jetë edhe Bashkim Basha. 67-vjeçari nuk mundi t’u rezistojë plagëve të marra pasditen e 30 tetorit. Basha i po udhëtonte me bashkëshorten e tij, Flutura Basha me një motor në momentin kur ndodhi atentati në drejtim të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit dhe një personi të tretë që dyshohet se ishte në makinë me të rinjtë.

Pasi u qëllua me breshëri plumbash drejt makinës ku ata udhëtonin, ata humbën drejtimin mbi mjetin dhe përplasën çiftin Basha që u ndodhën në vendin e ngjarjes në momentin e krimit. Përplasja ishte fatale për bashkëshorten e tij, Flutura Basha e cila humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ndërsa, Bashkim Basha prej ditësh ishte në gjendje kritike për jetën. Spitali i Shkodrës jepte shpresa të pakta për gjendjen shëndetësore të 67-vjeçarit, shpresa që u shuan mëngjesin e të dielës.

Për atentatin që shkaktoi viktima dy kalimtar të pafajshëm, policia ende nuk ka asnjë autor të arrestuar. Hetimet janë përqendruar për të zbuluar edhe këtë person i cili shfaqet në vendin e ngjarjes pra trupave të viktimave Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Ai dyshohet se ka qenë në makinë me viktimat, por nuk është identifikuar ende.

Grupi hetimor nuk përjashton që ai të jetë i shumëkërkuari Ibrahim Lici, vëllai i Hamzait që ishte në drejtimin e makinës me targa kroate që u qellua me 38 plumba nga atentatorët. Grupi hetimor është në pritje të rikuperimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, DVR-të e të cilave rezultuan të koduara. Deri në këtë fazë, hakmarrja është pista kryesore e hetimit, për zbardhjen e ngjarjes.

Klan News