Gazetarja Klodiana Lala mendon se Ibrahim Lici ka qenë në makinën ndaj të cilës u bë atentat më 30 Tetor në Dobraç të Shkodrës. Katër persona humbën ngjarje si pasojë e kësaj ngjarjeje, mes të cilëve edhe Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit.
Lala tha gjatë emisionit “Opinion” se dyshon që ai të jetë fshehur në banesën e tij, pasi varrimi i Hamza Licit u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u pranua askush, diçka e pazakontë sipas saj për traditat në veri. Sipas gazetares policia duhet të kishte kontrolluar edhe në banesën e tij.
“Nuk mund ta jap definitivisht, por unë mendoj që Ibrahim Lici ka qenë në atë makinë. Ajo çka më bën dyshime është një gjë. Lictë nuk e hapën, siç i themi ne në veri, derën e mortit, nuk pritën askënd. Ishte e para herë që në Shkodër varrimi i Hamza Licit u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u pranua askush. Unë mendoj që policia do duhej të kishte shkuar dhe të bënte kontroll brenda në banesë. Ky është dyshimi im. A mund të ngrej dyshime unë si gazetare që ai mund të ketë qenë brenda në banesën e tij dhe mund të ketë marrë kurim aty? Ky është një dyshim. E dyta gjurmët e gishtërinjve që janë gjetur në pistoletë dhe në automjet janë gjurmë jo të plota. Duan një hetim më të thelluar, sepse duhet të kesh disa elementë për ta identifikuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, tha Lala.
Kujtojmë se policia ka kontrolluar disa klinika private pasi dyshohet se Ibrahim Lici ka mbetur i plagosur nga kjo ngjarje, por deri më tani nuk është gjetur asgjë./tvklan.al