Katër policët Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marta Martini u pezulluan nga detyra dhe u lanë në detyrim paraqitje nga gjykata në lidhje me masakrën e Dobraçit. Ata dyshohen për shpërdorim detyre pasi nuk kanë respektuar procedurën standarde të sigurimit të vendit të ngjarjes si dhe nuk kanë identifikuar personat e gjetur në vendin e ngjarjes.
Gazetarja Emi Kalaja ka mundur të zbulojë dëshminë që policët kanë dhënë në gjykatë. Ata pretendojnë se fillimisht kanë marrë një njoftim sikur ishte aksident rrugor dhe prandaj janë nisur atje. Kur kanë mbërritur, thonë se kanë respektuar procedurat standarde.
Ata janë shprehur se në vendin e ngjarjes kanë kuptuar që nuk bëhej fjalë për aksident, por vrasje me armë zjarri. Kështu kanë njoftuar ambulancën. Sa i përket një personi të tretë, i shfaqur nëpër video duke i dhënë ndihmën e parë viktimës Hamza Lici, policët pretendojnë se nuk e kanë njohur.
Ata thonë se nuk kanë patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohin atë. Sipas tyre në atë moment prioritet ka qenë rrethimi i vendngjarjes sepse ishte kaos dhe dhënia ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë.
“Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty, por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standarde. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor, por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë”, mësohet të kenë thënë ata.
Kujtojmë se prej kësaj ngjarjeje ndërruan jetë Hamza Lici e Arlind Bushati të cilët ndodheshin në makinën që ishte “objektiv” i autorëve, e po ashtu çifti i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha. Këta të fundit u ndodhën krejtësisht pa faj në momentin e atentatit. Policia po vijon kërkimet për një person të tretë i cili shfaqet në disa video pas atentatit. Dyshimet janë se bëhet fjalë për të shumëkërkuarin Ibrahim Lici, por deri më tani policia nuk ka arritur ta identifikojnë se kush është ai./tvklan.al