Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës ku akuzon efektivët e policisë së këtij qyteti për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën me 4 viktima në Dobraç.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Pritet që Prokuroria të thellojë hetimet në lidhje me grupin e efektivëve që ishin në vendngjarje. Ende mbetet mister personi që del në video, ndërkohë që dyshohet se pikërisht ky person është Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit.

Ka dyshime se Ibrahim Lici të jetë lënë nga efektivët që të largohet nga vendi i ngjarjes. Policia ka të dhënë që beson se Lici ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për mjekim në një klinikë private në jug të vendit për këtë arsye ka patur disa kontrolle, por që nuk kanë zbuluar gjurmë të tij.

Të hënën Prokuroria e Shkodrës ia kaloj SPAK dosjen e atentatit të 30 Tetorit, ku mbetën të vrarë Arlind Bushati e Hamza Lici si dhe dy kalimtarë të pafajshëm. Institucioni i akuzës dyshon se atentati është kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe për këtë arsye ka shpallur moskompetencën. SPAK pritet të ngrejë një grup hetuesish ku do të përfshihen oficerë të byrosë kombëtare të hetimit.

Për kryerjen e këtij krimi u përdor një mjet luksoz tip Range Rover, që u vodh në 17 Prill të këtij viti në qytetin e Durrësit.

Klan News