Gjykata ka liruar nga burgu katër efektivët e policisë së Shkodrës, të cilët dyshohet se nuk identifikuan dhe shoqëruan personin që shfaqet në video duke i dhënë ndihmë Hamza Licit.
Gjykata ka vendosur ndaj tyre masën detyrim paraqitje, ndalimin e daljes jashtë vendit dhe pezullim nga detyra, ndërsa akuzohen për shpërdorim detyre. Në gjykata ata deklaruan se personin e tretë nuk e njihnin ndërsa prioritet kishin dhënien e ndihmës së parë për të plagosurit.
“Dëgjuam në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Kur mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident, por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi pasur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë.”
Hetimet e AMP nisën pas kësaj videoje ku shfaqet një person i tretë i gjakosur, i cili dyshohet se ndodhej në makinë me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin.
Ky person ishte në vendngjarje derisa mbërritën efektivët e parë siç duket dhe në këtë foto, por asnjë prej punonjësve të policisë, nuk e ka ndaluar atë.
Afro 3 jave nga kjo ngjarje, policia dhe prokuroria ende nuk ka bërë te ditur zyrtarisht nese e kanë identifikuar këtë person.
Masakra e Dobraçit ndodhi më 30 Tetor. Nga breshëria e plumbave humbën jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati ndërsa nga humbja e kontrollit të mjetit, gjetën vdekjen çifti i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha, të cilët po udhëtonin me një motor.
Klan News