Ministri i Mbrojtjes Kombëtare greke Nikos Dendias ka ofruar mbështetjen e vendit të tij për integrimin e shpejtë të shteteve ballkanike në BE.
“Nuk ka zgjidhje magjike, por anëtarësimi në Bashkimin Evropian mund të jetë një pikë kthese kyçe për adresimin e sfidave të përgjithshme të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ngadalësia e dukshme e procesit të zgjerimit ka reduktuar besueshmërinë e ëndrrës evropiane, duke lejuar faktorë të tjerë të jashtëm që të fitojnë ndikim në këtë rajon. Gjithsesi ka disa parakushte. Duhet t’u themi atyre se kjo rrugë drejt ëndrrës së përbashkët evropiane kalon nëpër disa porta. Dhe këto porta janë e drejta ndërkombëtare, traktatet që janë nënshkruar, marrëdhëniet e mira fqinjësore, si dhe respektimi i shtetit ligjor”.
Në të njëjtën kohë, Dendias vuri në dukje se “ka pasur shumë vullnetarë për ISIS-in nga shtetet e ballkanike.
“Greqia është një urë lidhëse mes Ballkanit Perëndimor dhe Europës së bashkuar por mund të ketë edhe rolin e argjinaturës kur bëhet fjalë për radikalizimin dhe terrorizmin islamik. Ne duhet të veprojmë ndaj paqëndrueshmërisë politike, korrupsionit, i cili ndonjëherë është endemik, kornizës së dobët institucionale, tensioneve etnike, radikalizimit, krimit të organizuar, trafikut të drogës, trafikut dhe gjithçka tjetër që na rrethon”.
Dendias ka diskutuar për stabilitetin e rajonit tonë edhe me shefin e ri të NATO-s, Mark Rutte.
Klan News