Të paktën 36 persona kanë ndërruar jetë dhe 27 janë plagosur pasi një autobus ra në një humnerë në shtetin verior të Indisë, Uttarakhand.
Sipas autoriteteve indiane, në bord ishin 44 persona në momentin kur shoferi humbi kontrollin mbi mjetin. Ndërkohë qeveria indiane ka urdhëruar një hetim në lidhje me aksidentin.
Autobusët janë mënyra kryesore e transportit në Uttarakhand dhe aksidentet nuk janë të rralla. Fotot dhe videot nga vendi i ngjarjes treguan se autobusi i dëmtuar u përmbys në fund të një kodre.
Disa pasagjerë humbën jetën në vend, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalet e afërta. Operacionet e shpëtimit janë ende duke u zhvilluar.
Autobusët janë një mënyrë e zakonshme transporti në Indi, megjithatë shpeshherë operatorët shpërfillin rregullat e sigurisë dhe lejojnë që të udhëtohet me persona mbi kapacitetin.
Përafërsisht 160,000 njerëz vriten në aksidente rrugore në Indi çdo vit, kryesisht për shkak të shpejtësisë dhe drejtimit të pakujdesshëm./tvklan.al