Esmerald Balla, 30-vjeçari i cili u arrestua për vrasjen e babait të tij në Shënavlash të Durrësit, ka thënë para grupit hetimor se ngjarja ishte aksidentale.
Në dëshminë e siguruar nga Klan News, ai ka deklaruar se ishte babai që e kërcënoi me armë duke i thënë se do ta vriste pas konfliktit për mungesën e parave në banesë, një shumë prej 75 mijë eurosh.
“Shkova të merrja paratë pasi punëtorët me kërkuan pagesën që kishim rënë dakord sepse kishin mbyllur punimet në shtëpinë e re që po ndërtoj. Shkova te kasaforta për të marrë paratë dhe pashë se mungonin. Babai me tha se do të më vriste dhe mori pistoletën dhe ma drejtoi. Në momentin që u përpoqa t’ia hiqja nga dora pistoletën, ajo u shkreh dhe pashë që ishte qëlluar,” ka deklaruar 30-vjeçari.
Esmerald Balla i cili ekzekutoi babain e tij fshehu kufomën në këtë pus, qe ndodhet që 1 km nga vendi ku e ekzekutoi. Ai u ndihmoi nga një tjetër person, i cili u arrestua nga policia.
Në pranga ra Edison Brahaj, 25 vjeç. Ata përdorën një litar dhe rripin e sigurimit të automjetit për të hedhur trupin e pajetë në pus.
Gjatë kontrollit të banesës së e bashkëpunëtorit të Esmeraldit, policia gjeti një shumë parash prej 145 mijë lekësh.
Në përpjekje për të fshehur krimin 30-vjeçari deklaroi në polici se babai u largua me një grua të panjohur. Këtë fjalë e përhapi dhe në fshat.
“Ka qenë një njeri i rregullt familjar, merreshin me punët e tyre. Nuk ka pasur probleme me asnjë njeri.”
“Kanë shkuar mirë babë e bir. Me thënë të drejtën në komunitetin që ne na rrethon nuk ka patur një sy për të keq, kanë shkuar shumë mirë babë edhe djalë.”
Vrasja sipas policisë ka ndodhur rreth 20 ditë më parë ndërsa djali i tij, Esmerald Balla, denoncoi zhdukjen e të atit dy ditë pasi krimit. Ai u paraqit në polici dhe tha se më 13 Gusht kishte humbur kontaktet me babanë, 62 vjeçarin Enver Balla.
Policia pasi mori në pyetje anëtarët e familjes ngriti dyshimet se bëhet fjalë për një krim. Nga përgjimet rezultoi se 30-vjeçari është autori i vrasjes së babait të tij.
Klan News