I qetë e kokëulur është paraqitur në Gjykatë Esmerald Balla për vrasjen e babait të tij, Enverit. Kur u pyet nga gjyqtari Rexhep Bekteshi për motivin e krimit, ai tha se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes dhe shfaqi pendesë.
“S’ka më kthim pas!”, ka deklaruar i riu.
Ndërkohë, prokurori Pali Deçolli ka shpjeguar më me detaje mënyrën si ka ndodhur ngjarja, në bazë të deklarimeve të Esmerald Ballës dhe Edison Brahaj. Mësohet se debatet kanë nisur teksa ata ndodheshin në furgonin e familjes, në të cilin ishte dhe Edisoni. Ky i fundit punonte te ferma e viktimës dhe autorit.
“Fillimisht u zunë me grushta, pastaj Esmeraldi e qëlloi me pistoletë. Kur 62 vjeçari ra përtokë, Esmeraldi e qëlloi edhe njëherë tjetër. Në bashkëpunim me Edisonin, tërhoqën trupin dhe e hodhën në pusin e një familjeje tjetër, afro 1 km larg vendit të ngjarjes”, tha prokurori, duke theksuar se çdo gjë është e dokumentuar.
Nga ana tjetër, avokati i Edison Brahaj pretendoi se ai është detyruar nga policia që të pranojë se ka gisht në vrasje. Vetë i arrestuari pati qëndrime kontradiktore…
Pasi dëgjoi palët, trupa gjykuese vendosi masën e “arrestit me burg” për dy të akuzuarit.
/tvklan.al