Personi që shihni në foto është Branko Shkoza, i cili u deklarua se vdiq aksidentalisht në Durrës, por rezulton të jetë vrarë nga shoku i tij. Policia ka zbardhur vetëm pas 8 ditësh ngjarjen dhe për këtë ka arrestuar si autor të dyshuar 35-vjeçarin Majlind Habibi.
33-vjeçari Shkoza kishte humbur kontaktet me familjen nga 2 Dhjetori dhe babai tij e kishte deklaruar i zhdukur në polici më 5 Dhjetor.
Pas kërkimeve policia e gjeti trupin e tij të pajetë të hedhur në një kanal në zonën e Spitallës në Durrës. Ngjarja u deklarua fillimisht si aksidentale nga policia, por pas hetimeve shkencore ka rezultuar se nuk ishte e tillë.
Shkoza, sipas policisë kishte pasur një përplasje me Habibin, i cili e shtyu 33-vjeçarin duke e hedhur nga ura në kanalin e ujërave të zeza, e si pasojë e rrëzimit i shkaktoi dhe humbjen e jetës.
Policia pas prangosjes së 35-vjeçarit Habibi thotë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, duke mos dhënë detaje të tjera.
Tv Klan