Rënia e avionit me 67 persona në bord të mërkurën në afërsi të aeroportit të Aktaut në Kazakistan mund të jetë shkaktuar goditja nga sistemi anti-ajror rus. Dyshimet ngrihen nga këto shenja të goditjeve nga sistemi anti-ajror, të ndodhura në mbetjet e gjysmës së pasme të mjetit fluturues.
Në disa media hidhen dyshime se në momentin kur fluturonte mbi kufirin e Rusisë, avioni i i shoqërisë “Azerbaijan Airlines”, i nisur nga Bakuja drejt Groznit dhe që devijoi drejt Aktaut, u godit nga sistemi anti-ajror i Rusisë që ishte vënë në gjendje alarmi nga hyrja e disa dronëve të paidentifikuar, të cilët u qëlluan në ajër pak para tragjedisë.
Disa blogerë rusë shkruajnë në rrjetet sociale se avionin e prekën mbetjet e një rakete të madhe tokë-ajër. Dyshimet mbështeten edhe nga vetë pasagjerët e shpëtuar që kanë kryer filmime gjatë momentit të rënies, ku duken dëmtime në pjesën e brendshme të avionit pak para rënies. Ata thonë se dëgjuan goditjen e disa copëzave të mëdha në trupin e avionit.
Autoritetet e tre vendeve po hetojnë për shkaqet e vërteta të ngjarjes dhe po kryejnë analizimin e kutive të zeza. Bilanci aktual është 38 viktima dhe 29 të shpëtuar.
Tv Klan