Përforcohen dyshimet se avioni i kompanisë ajrore Azerbaijan Airlines që ra të mërkurën në Kazakistan u godit nga mbrojtja kundër-ajrore ruse.

Pas gjetjes edhe të kutisë së dytë të zezë të avionit, kompania azere njoftoi se nga hetimet paraprake rezulton të ketë patur “ndërhyrje teknike dhe fizike nga jashtë”.

Kreu i agjencisë ruse të transportit ajror në një deklaratë për mediat u shpreh këtë të premte se avioni me 67 pasagjerë në bord i nisur nga Baku drejt Groznit, u devijua në Aktau për shkak të mjegullës së dendur në kryeqytetin çeçen dhe alarmit për sulme me dron nga Ukraina.

Ndërsa disa zyrtarë amerikanë të cituar nga CNN në kushte anonimati, thanë se të gjitha shenjat mbështesin dyshimet se avioni u godit nga raketat anti-ajrore ruse, por me shumë gjasa mjeti mund të jetë vënë në shënjestër nga trupa rusë të patrajnuar, gjatë goditjes së disa dronëve ukrainas, kalimi i të cilave alarmoi mbrojtjen ajrore kufitare ruse në atë moment. Tragjedisë i shpëtuan 29 pasagjerë.

Moska megjithatë bëri thirrje të mos dilet në përfundime të nxituara.

Tv Klan