Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë një turi që është duke zhvilluar në Gjermani dhe Zvicër, u takua me homologët Nancy Faeser dhe Beat Jans. Në Gjermani Balla takoi ministren e Brendshme Federale, me të cilën u diskutua bashkëpunimi në operacionet e përbashkëta kundër grupeve kriminale.
Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Dua të konfirmoj pjesëmarrjen time në samitin që do të zhvillohet gjatë muajit Shtator mes ministrave të brendshëm, sepse e vlerësojmë shumë rolin udhëheqës të Gjermanisë në këtë proces. Kështu që kujtoj faktin që jemi në 10-vjetorin e procesit të Berlinit. Përgëzime qeverisë Federale por edhe Gjermanisë për organizmin perfekt deri më tani për Kampionatin Europian.
Gjatë takimit me ministren gjermane, u vlerësua sjellja e tifozerisë shqiptare, por edhe pjesëmarrja e policisë shqiptare gjatë evenimentit sportiv EURO 2024.
Pas takimit në Berlin, Balla u prit nga ministri i Drejtësisë dhe policisë së Zvicrës, Beat Jans. Përveç bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër narkotikëve, apo migracionit të paligjshëm, u diskutua edhe çështja e ekstradimeve të personave që kërkohen nga drejtësia.
Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Synojmë të ngremë Ekipe të Përbashkëta Hetimore në kuadër të Europol dhe Interpol, si dhe bashkëpunim në gjetjen e personave në kërkim dhe për ekstradimet.
Ministri Balla nënvizoi faktin se nisur nga të dhënat e 6-mujorit të parë, në Shqipëri pritet të vijnë rreth 100 mijë turistë zviceranë.
Klan News