Deputeti Ervin Salianji ka kërkuar disa përgjigjie sot në Kuvend prej ministrit të Brendshëm Taulant Balla sa i takon luftës ndaj krimit në vend.“Ngjarjet kriminale kanë tronditur Shqipërinë, situate është alarmante. Cilat janë masat e marra për trafikantët dhe emigrantët?”, tha Salianji nga foltorja.


Në 300 ditë në krye të detyrës, Balla tha se Shqipëria ka njohur përmirësim të ndjeshëm në goditjen e grupeve kriminale, sigurisë publike apo parandalimit të ngjarjeve kriminale. Ai e vuri theksin te certifikimi i Shqipërisë si destinacion i sigurt turistik dhe te fakti se vendi ynë nuk është më pjesë e “listës së zezë të Europës”.

“Le të shërbejë kjo interpelancë edhe si llogaridhënie e imja ndërsa kam nderin të jem ministër i Brendshëm prej 300 ditësh. Certifikimi i Shqipërisë si destinacion i sigurt turistik është lajmi më i mirë së fundmi. Është pastruar imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Kur i pyet turistët çfarë të pëlqen më shumë nga Shqipëria, fjala e parë është “siguria”. Janë turistë që vijnë nga vende ku siguria nuk është problem, por janë turistë të cilët ndihen shumë të sigurt në Shqipëri. Del në Tiranë natën dhe nuk ke asnjë ndjesi që dikush do të vjedhë orën ose do të të marrë çantën nga shpina, siç ndodh sot në disa kryeyqtete europiane. Kjo është Shqipëria në syrin objektiv të paanshëm, se unë jam i sigurt se unë e ti e shohim Shqipërinë me sy të ndryshëm. E kemi mbyllur 2023 me 0 ngjarje kriminale fatale ndaj vizitorëve të huaj dhe do bëjmë gjithçka të ruajmë këtë trend pozitiv. 

Në këto 300 ditë kam pasur mundësinë  të takohem me pjesën më të madhe të Policisë së Shtetit dhe t’i dëgjoj me vëmendje. Besoj që bini dhe ju dakord që në territorin e kësaj Republike nuk mund të ketë më “të fortë” mbi ligjin. Nuk ka qenë e largët dita kur pasi shoqëroheshin në komisariat, dilnin nga dera e banjos. Goditja ndaj grupeve kriminale vijojnë të intensifikohet. Sapo janë arrestuar në Itali e Spanjë dy personazhe të tjera që do të ekstradohen në Shqipëri. U kam kërkuar drejtorive vendore sa më shumë punë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore. Raporti i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ndaj me ju krenarinë si çdo shqiptar tjetër që në raportin e vitit 2023, Shqipëria ka uljen më të lartë të nivelit të kriminalitetit krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian. 0.46 pikë përmirësim! Nuk jemi më në dhjetëshen e zezë të Evropës! Muaji prill 2024, për fat të mirë nuk kishim asnjë jetë të humbur nga ngjarje kriminale me armë.”

Sipas tij që prej kohës kur i është besuar kjo detyrë, bilanci është ky: 1054 operacione policore dhe 6693 autorë të arrestuar. Janë sekuestruar 415 armë zjarri, mbi 500 armë të ftohta, 1700 kg lëndë plasëse. Janë parandaluar 156 ngjarje kriminale.

E.D/tvklan.al